Miratohet ligji “Për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital”

14.05.2026 - In Rekomandime By aksk admin off Miratohet ligji “Për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital” Kuvendi i Shqipërisë miratoi më 7 maj 2026 ligjin “Për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital”, pas përfundimit të shqyrtimit në komisionet parlamentare përkatëse gjatë datave 4–5 maj. Ky ligj, i përafruar plotësisht me rregulloret e Bashkimit Evropian eIDAS1 dhe eIDAS2, përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në forcimin e sigurisë dhe besueshmërisë së shërbimeve digjitale në Shqipëri, si dhe në avancimin e procesit të integrimit evropian të vendit. Për herë të parë, në kuadrin ligjor shqiptar parashikohet një mjet identifikimi elektronik i sigurt, praktik dhe gjithëpërfshirës, i cili u mundëson përdoruesve të ruajnë, menaxhojnë dhe vërtetojnë në mënyrë të sigurt të dhënat e identifikimit dhe vërtetimet elektronike të atributeve, si dokumenti i identitetit digjital, leja e drejtimit, diploma, dokumente me vulë elektronike dhe dokumente të tjera elektronike. Portofoli i Identitetit Digjital do t’u mundësojë qytetarëve dhe subjekteve: të ruajnë dhe ndajnë të dhënat e identifikimit dhe vërtetimet elektronike të atributeve, me konfirmimin e përdoruesit; të nënshkruajnë dhe vulosin elektronikisht dokumente përmes pajisjeve të sigurta të integruara në portofol; të kenë akses në loget e të gjitha ndërveprimeve digjitale; të ndërveprojnë edhe në modalitetin offline dhe në nivel ndërkufitar. Në aspektin rregullator dhe mbikëqyrës, ligji forcon kompetencat që lidhen me mbikëqyrjen e portofolave të identitetit digjital, skemave të identifikimit elektronik dhe ofruesve të shërbimeve të besuara, të kualifikuara dhe jo të kualifikuara, duke krijuar një kuadër më të qartë, më të sigurt dhe më të besueshëm për funksionimin e tyre. Miratimi i këtij ligji përmbush hapin e parë të Reformës 3.1.1 “Përputhshmëria me rregulloren e Identitetit Digjital dhe zbatimi i e-Portofolit Digjital për shërbimet publike”, të parashikuar në Agjendën Kombëtare të Reformave 2024–2027, duke e afruar Shqipërinë më pranë standardeve dhe politikave të Bashkimit Evropian.

This article was collected and archived by Digital Sovereignty Watch from an institutional or public source relevant to digital sovereignty, technology policy, cybersecurity, cloud services, artificial intelligence or European regulation.

Read original source